Një ngjarje e rrallë dhe prekëse ka sjellë gëzim të veçantë në fshatin e qetë Sorgà, ku një familje shqiptare ka shkruar një histori që do të mbahet mend gjatë. Ariola Aruçi dhe Jetmir Aruçi u bënë prindër të vogëlushes Isabela, vajza e parë që lind në këtë komunitet pas më shumë se 50 vitesh. Lindja ndodhi në mënyrë të papritur në shtëpi, duke e kthyer një moment intim familjar në një ngjarje që preku gjithë zonën.
Në çaste plot emocion dhe tension, Ariola, 29 vjeçe, solli në jetë vajzën e saj me ndihmën e bashkëshortit dhe një fqinje, ndërsa Jetmiri ndiqte udhëzimet e emergjencës 118 në telefon. Edhe pse kordoni i kërthizës ishte mbështjellë rreth qafës së bebes, gjithçka përfundoi mirë falë reagimit të shpejtë dhe gjakftohtësisë së tyre. Isabela erdhi në jetë e shëndetshme, me peshë 3 kilogramë, dhe më pas u transportua së bashku me mamanë në spitalin e Villafranca di Verona për kujdes të mëtejshëm.
Gëzimi në familjen Aruçi u bë edhe më i madh nga prania e vëllait të vogël, Lionit 5-vjeçar, i cili ishte dëshmitar i këtij momenti të rrallë dhe e priti motrën me dashuri. Çifti shprehet se zgjedhja për të jetuar në këtë fshat ka qenë e menduar mirë, për qetësinë dhe sigurinë që ofron për rritjen e fëmijëve. Me rrënjë nga Shqipëria dhe jetë të ndërtuar në Itali, ata kanë sjellë jo vetëm një jetë të re, por edhe një rreze shprese dhe gëzimi për një komunitet të tërë.