Ajo që nisi si një "aksion heroik" me fadroma e lopata për t’u kthyer hapësirat publike qytetarëve, ka përfunduar në një tallje të hapur. Një rast flagrant i propagandës qeveritare po ndodh në Njësinë 5 në Tiranë, pikërisht ngjitur me shkollën “Petro Nini Luarasi”.
Pasi ekranet e televizioneve dhe portalet u mbushën me pamje të prishjes së objekteve që kishin zënë hapësirat e banorëve, realiteti pas dy muajsh dëshmon se asgjë nuk ka ndryshuar, përveç emrit të përfituesit.
![]()
Skenari është sa qesharak, aq edhe irritues për banorët e zonës. Hapësira që u trumpetua si e "çliruar" nga një parking privat që operonte me një kioskë në dalje, i është rikthyer të njëjtit funksion.
Nëse më parë qytetarët paguanin te kioska, sot skema është thjeshtuar: paratë mblidhen sërish, por këtë radhë nga disa të rinj që qëndrojnë në kararrige nën hijen e ca selvive. "Çlirimi" nuk solli as lulishte, as kënd lojërash e as trotuar të lirë për nxënësit e shkollës, por thjesht një ndryshim të formës së administrimit të fitimit mbi pronën publike.
Ky nuk është rasti i vetëm ku aksionet e zhurmshme përfundojnë në heshtje dhe rikthim të gjendjes së mëparshme. Lokalet që dikur rrethoheshin me duralumin, sot po kufizojnë sërish të njëjtat hapësira, por këtë herë duke përdorur plastmas, si për të treguar se ligji funksionon vetëm për estetikën e kamerave të lajmeve.
Për qytetarët e Tiranës, ky realitet vërteton se sulmet me fadroma nuk ishin asgjë më shumë se një "tollumbace" propagandistike. Ndërsa bashkia mburret me kthimin e hapësirave te qytetarët, pamjet flasin vetë: hapësira publike mbetet peng i biznesit privat dhe i "çunave" që bëjnë ligjin në terren, nën sytë e një administrate që vetëm bën sikur punon.