Tirana e “vdekjes”: Ndotja e ajrit kalon 12 herë normat e OBSH-së

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 19.03.2026, 19:58

Tirana po përballet me një krizë mjedisore të heshtur, ku ajri që thithin qytetarët çdo ditë është kthyer në një rrezik serioz për shëndetin publik. Harta e kuqe e ndotjes ka "pushtuar" tashmë të gjitha arteriet kryesore të kryeqytetit, ku pluhuri dhe emetimet e gazrave të rrezikshëm nga automjetet kanë kaluar çdo limit të sigurisë njerëzore.

Pas alarmeve të lëshuara nga organizata Co-Plan dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, të dhënat e reja nga platforma globale World Air Quality Index konfirmojnë një realitet edhe më shqetësues nga sa mendohej. Monitorimi në kohë reale, i kryer përmes 9 stacioneve të shpërndara në pikat më të frekuentuara të qytetit, nxjerr zbuluar dështimin e plotë në menaxhimin e mjedisit urban.

Në zona si Rruga “Bardhyl”, Rruga e Kavajës dhe te Ish-Parku i Autobusëve, niveli i grimcave të rrezikshme PM 2.5 është matur deri në 12 herë më i lartë se normat strikte të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Situata nuk paraqitet më mirë as në qendrën administrative; stacioni i vendosur te Shtëpia e Europës, në rrugën "Papa Gjon Pali i Dytë", tregon po ashtu nivele kritike ndotjeje, duke dëshmuar se asnjë cep i Tiranës nuk është më "ishull i pastër".

Ekspertët shpjegojnë se ky nivel ekstrem i grimcave të pluhurit shkaktohet kryesisht nga trafiku i rënduar i automjeteve, kantiereve të pafundme të ndërtimit dhe aktivitetit industrial që rrethon qytetin. Grimcat PM 2.5 janë veçanërisht tinëzare pasi depërtojnë thellë në mushkëri dhe në qarkullimin e gjakut, duke u bërë burim për sëmundje kronike.

Në raportet e tyre, institucionet mjedisore theksojnë se zgjidhja e vetme mbetet shtimi urgjent i hapësirave të gjelbra. Megjithatë, përballë këtij alarmi, Bashkia e Tiranës ka zgjedhur të mbajë një qëndrim mospërfillës. E pyetur zyrtarisht nga Televizioni Klan se sa është shtuar sipërfaqja e gjelbër dhe sa pemë janë mbjellë konkretisht gjatë vitit të fundit, administrata e kryeqytetit vijon të heshtë, duke lënë qytetarët nën tymin e smogut dhe pa asnjë llogaridhënie.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit