Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka ngritur alarmin për një skenar të mundshëm katastrofik bërthamor, teksa përshkallëzimi i konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit vijon të tensionojë rajonin.
Drejtoresha rajonale për Mesdheun Lindor, Hanan Balkhy, deklaroi se OBSH po qëndron “në gatishmëri të plotë” për çdo kërcënim atomik. Ajo theksoi se skenari më i keq mbetet një incident bërthamor, qoftë nga goditja e një centrali apo përdorimi i një arme, duke paralajmëruar pasoja që mund të zgjasin për dekada.
Sipas saj, edhe pse nuk ka ende shenja të ndotjes radioaktive në rajon, një incident i tillë do të kishte efekte shkatërruese për shëndetin: dëmtime të menjëhershme në mushkëri dhe lëkurë, rritje të rasteve me kancer dhe probleme serioze të shëndetit mendor.
Frika e ekspertëve bazohet edhe në precedentë historikë si Katastrofa e Çernobilit, që shkaktoi pasoja afatgjata shëndetësore, dhe sulmet me bomba atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, ku humbën jetën rreth 210 mijë njerëz.
Ndërkohë, tensionet janë shtuar pasi SHBA dhe Izraeli kanë goditur objektet bërthamore iraniane në zona si Fordow, Isfahan dhe Natanz. Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se synon të “eliminojë kërcënimin bërthamor” nga Irani, edhe pse pa paraqitur prova konkrete për zhvillim të armëve bërthamore nga Teherani.
OBSH po përditëson protokollet e reagimit për stafin e saj, duke përfshirë udhëzime për mbrojtjen e popullsisë në rast të një incidenti të tillë. Paralelisht, organizata ka ngritur shqetësime edhe për pasojat e sulmeve ndaj impianteve të naftës në Iran, të cilat kanë mbuluar Teheranin me tym dhe mund të shkaktojnë probleme serioze respiratore.
Nga ana tjetër, situata humanitare po përkeqësohet ndjeshëm. OBSH raporton për dhjetëra sulme ndaj punonjësve shëndetësorë në Iran dhe Liban, ndërsa infrastruktura mjekësore në rajon po pëson dëme të mëdha.
Mes këtij realiteti, paralajmërimi i OBSH-së mbetet i qartë: nëse konflikti përshkallëzohet më tej, pasojat nuk do të kufizohen vetëm në rajon, por mund të kenë ndikim global dhe afatgjatë.