Një qytetar i është drejtuar redaksisë sonë me një shqetësim serioz që lidhet me sigurinë ushqimore në vend, duke ngritur sërish pikëpyetje mbi standardet në rrjetin e supermarketeve Big Market.
Sipas tij, ai ka blerë disa produkte ushqimore në një prej filialeve, konkretisht në Big Market te “Pajtoni”. Pasi është kthyer në banesë dhe ka hapur një pako biskotash, ka konstatuar se ato ishin të prishura dhe të papërshtatshme për konsum.
Qytetari është rikthyer menjëherë në supermarket për të kërkuar sqarim, por, sipas tij, është përballur me një sjellje jo korrekte nga ana e punonjësve, të cilët i kanë thënë se biskotat dukeshin në atë gjendje pasi ishin produkte integrale.
Ky nuk është rasti i parë që në redaksinë tonë mbërrijnë ankesa për këtë rrjet supermarketesh. Pavarësisht denoncimeve të përsëritura nga qytetarët, duket se institucionet përgjegjëse, përfshirë Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU), nuk kanë marrë masa konkrete.
Situata ngre një pyetje të fortë, deri kur do të vijojë heshtja përballë shqetësimeve të qytetarëve për sigurinë ushqimore?