Shqipëria vijon të mbetet ndër vendet më pak të lumtura në Europë, duke u renditur e parafundit, vetëm përpara Turqisë. Sipas raportit të publikuar nga Kombet e Bashkuara për vitin 2026, Shqipëria mban vendin e 86 në botë, me një përmirësim të lehtë nga një vit më parë, por ende shumë larg vendeve të rajonit dhe Europës.
Në rajon, kontrasti është i fortë, Kosova renditet në vendin e 16 në botë, duke hyrë në mesin e vendeve më të lumtura dhe duke shënuar një përmirësim të ndjeshëm nga viti i kaluar. Pas saj vjen Serbia në vendin e 30, ndërsa Bosnjë dhe Hercegovina renditet e 47-a dhe Mali i Zi në vendin e 60. Maqedonia e Veriut ndodhet në vendin e 82, duke qenë gjithashtu më mirë e pozicionuar se Shqipëria.
Sipas raportit, Shqipëria penalizohet kryesisht nga niveli i lartë i korrupsionit dhe mungesa e mbështetjes sociale, dy tregues që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve. Ndërkohë që disa vende të rajonit po përmirësojnë ndjeshëm pozicionin e tyre dhe po rrisin nivelin e kënaqësisë së qytetarëve, Shqipëria vijon të mbetet në fund të listës europiane, duke reflektuar sfida të thella sociale dhe institucionale.