Qeveria italiane ka ndërmarrë një paketë të re masash për të përballuar rritjen e çmimeve të benzinës dhe naftës, me synim kryesor frenimin e abuzimeve dhe spekulimeve në tregun e karburanteve. Vendimet janë miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dhe janë përfshirë në një dekret të posaçëm për këtë sektor.
Sipas draftit të publikuar nga “La Repubblica”, kontrollet e Guardia di Finanza do të shtrihen në të gjithë zinxhirin e furnizimit, nga prodhimi deri te shitja me pakicë. Në rast dyshimesh për shkelje, të dhënat mund t’i kalojnë autoriteteve të drejtësisë për të verifikuar nëse kemi të bëjmë me manipulime të paligjshme të çmimeve.
Një mekanizëm i veçantë monitorimi do të zbatohet për një periudhë dy mujore, duke synuar identifikimin e luhatjeve të pazakonta në çmime. Nëse konstatohet rritje e pajustifikuar, Autoriteti i Mbikëqyrjes së Çmimeve do të sinjalizojë Guardia di Finanza, duke i vënë në dispozicion të dhënat për operatorët e përfshirë. Hetimet do të përfshijnë analizën e dokumentacionit financiar për të zbuluar çdo parregullsi në kostot dhe çmimet e furnizimit, deri në origjinën e naftës bruto dhe produkteve të rafinuara.
Gjetjet e këtyre verifikimeve do t’i përcillen menjëherë Autoritetit të Çmimeve dhe atij Antitrust, të cilët mund të nisin procedura ndëshkuese. Në raste të caktuara, çështjet mund t’i referohen edhe organeve të drejtësisë brenda një afati të shkurtër, sipas legjislacionit penal në fuqi.
Paketa parashikon gjithashtu mbështetje për sektorin e transportit rrugor. Operatorët do të përfitojnë një kredi tatimore prej 28%, për të kompensuar rritjen e kostove të naftës. Masa zbatohet për automjetet Euro 6 ose më të avancuara dhe mbulon blerjet e dokumentuara të karburantit pa TVSH, me një fond total prej mbi 600 milionë eurosh.
Në të njëjtën kohë, qeveria po shqyrton uljen e akcizave, një nga faktorët kryesorë që ndikojnë në çmimin final në pompë. Zëvendëskryeministri Matteo Salvini bëri të ditur se, në bashkëpunim me ministrin e Ekonomisë Giancarlo Giorgetti, po punohet për një ndërhyrje të menjëhershme që synon uljen e ndjeshme të çmimeve.
Sipas tij, objektivi është që nafta të bjerë nën 2 euro për litër, me synim edhe nivelin 1.90 euro. Masa pritet të aplikohet fillimisht për një muaj dhe të kushtojë disa qindra milionë euro, ndërsa efekti në çmimin final parashikohet të jetë një ulje prej rreth 4-5 cent për litër.