Inflacioni në Shqipëri vijon të mbetet mbi mesataren evropiane. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), treguesi i harmonizuar i çmimeve të konsumit (IHÇK), i përllogaritur sipas standardeve të Eurostat, arriti në 2,5% në shkurt 2026, krahasuar me 2,1% që ishte mesatarja në Bashkimin Evropian.
Në raport me muajin janar, çmimet shënuan një rritje të moderuar prej 0,5%, duke reflektuar një tendencë të lehtë përshpejtimi të inflacionit. Ndikimin më të madh në këtë ecuri e dha grupi i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, i cili, për shkak të peshës së lartë në buxhetin e familjeve, mbetet faktori kryesor në rritjen e përgjithshme të çmimeve, edhe pse zgjerimi i tij ishte relativisht i kufizuar.
Ndërkohë, rritja më e ndjeshme në terma vjetorë u regjistrua në sektorin e argëtimit, sportit dhe kulturës, ku çmimet u rritën ndjeshëm. Edhe shërbime të tjera si kujdesi personal dhe sigurimet kontribuuan në këtë trend, ndërsa transporti pothuajse nuk shfaqi ndryshime.
Në krahasim me vendet e tjera evropiane, Shqipëria renditet në një nivel të ndërmjetëm: më poshtë se vende me inflacion më të lartë si Rumania, Islanda apo Sllovakia, por mbi ekonomi të mëdha si Gjermania, Franca dhe Italia. Normat më të ulëta të inflacionit gjatë kësaj periudhe u regjistruan në Danimarka dhe Zvicra.
Raporti i fundit shënon edhe një hap të ri në mënyrën e përllogaritjes së inflacionit, pasi nga shkurti 2026 është aplikuar klasifikimi ECOICOP 2018 dhe është ndryshuar viti bazë në 2025=100, duke e afruar më tej Shqipërinë me praktikat statistikore të Bashkimit Evropian.