Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka reaguar me një postim të gjatë në Truth Social lidhur me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, pas sulmit izraelit ndaj fushës së gazit South Pars në Iran. Ai deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk kishin asnjë dijeni për këtë sulm dhe se Katari nuk ishte i përfshirë në asnjë mënyrë.
Si kundërpërgjigje ndaj sulmit, Irani goditi zonën industriale Ras Laffan në Katar, ku ndodhet objekti më i madh në botë për përpunimin e gazit natyror të lëngshëm. Trump e cilësoi këtë veprim si të pajustifikuar dhe të padrejtë, duke theksuar se reagimi i Iranit erdhi pa njohur rrethanat reale të sulmit fillestar.
Në deklaratën e tij, Trump paralajmëroi për pasoja të rënda nëse Irani ndërmerr sërish sulme ndaj Katarit. Ai u shpreh se SHBA-të mund të ndërhyjnë me forcë të madhe, deri në shkatërrimin e plotë të fushës së gazit South Pars, duke shtuar se nuk dëshiron përshkallëzim, por nuk do të hezitojë të veprojë nëse situata përsëritet.