Një incident i pazakontë është raportuar në Makao të Kinës, ku një robot humanoid është ndaluar nga policia pasi ka shkaktuar shqetësim tek një grua 70-vjeçare.
Sipas raportimeve, bëhet fjalë për modelin Unitree G1, i cili përdorej për qëllime promocionale nga një institucion arsimor. Ngjarja ndodhi në rrugë, kur roboti iu afrua të moshuarës dhe nuk u largua, duke e bërë atë të ndihej e frikësuar.
E shqetësuar nga situata, gruaja nisi të bërtiste dhe më pas paraqiti ankesë tek autoritetet. Ajo deklaroi se përjetoi probleme shëndetësore, përfshirë aritmi, dhe u dërgua në spital për kontrolle mjekësore.
Pas ndërhyrjes së policisë, pajisja u kontrollua dhe më pas iu kthye pronarit. Autoritetet paralajmëruan përdoruesit e teknologjive të tilla që të tregohen më të kujdesshëm, sidomos kur i përdorin në hapësira publike, për të shmangur incidente të ngjashme.
Rasti ka ngritur diskutime mbi përdorimin e robotëve humanoidë në ambiente publike dhe ndikimin që mund të kenë tek qytetarët, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme.