Tensionet në Lindjen e Mesme kanë hyrë në një fazë edhe më të rrezikshme, pasi Irani ka ndërmarrë një sulm me raketa balistike ndaj Katarit, duke goditur një nga pikat më strategjike të energjisë në botë.
Sipas raportimeve, një nga raketat arriti të depërtojë mbrojtjen ajrore dhe shpërtheu në Ras Laffan Industrial City, që konsiderohet si impianti më i madh i gazit natyror në planet. Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë shpërthime të fuqishme dhe flakë të mëdha që përfshijnë zonën industriale.
Autoritetet në Katar e kanë cilësuar sulmin si një përshkallëzim të rrezikshëm, ndërsa kompania shtetërore QatarEnergy konfirmoi se zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Ministria e Mbrojtjes në Katar bëri të ditur se Irani lëshoi pesë raketa balistike, nga të cilat katër u interceptuan, ndërsa një arriti të godasë objektivin në Ras Laffan.
Ndërkohë, Katari ka paralajmëruar se nuk do të hezitojë të përgjigjet ndaj çdo sulmi që cenon sigurinë dhe sovranitetin e tij.
Situata është përshkallëzuar edhe më tej në rajon. Edhe kryeqyteti i Arabisë Saudite, Riadi, është goditur nga incidente të ngjashme, ku katër persona mbetën të plagosur pasi fragmente ranë në një zonë banimi pranë një rafinerie nafte.
Paralelisht, Irani kishte lëshuar paralajmërime evakuimi për disa objekte energjetike në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar, duke sinjalizuar një strategji më të gjerë goditjesh ndaj infrastrukturës ekonomike të rajonit.
Në planin ndërkombëtar, situata duket e paqartë. Aleatët perëndimorë nuk kanë dhënë sinjale për ndërhyrje të menjëhershme. Britania ka refuzuar të përfshihet në konflikt, ndërsa Franca ka kërkuar ulje të tensioneve. Edhe vende të tjera kanë mbajtur qëndrime të rezervuara.
Nga ana tjetër, Kina ka injoruar thirrjet për përfshirje, ndërsa Bashkimi Europian është distancuar qartë nga konflikti. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, u shpreh se “kjo nuk është lufta e Europës”.
Ndërkohë, përshkallëzimi i situatës po rrit frikën për një krizë të madhe energjetike globale, me pasoja që mund të ndihen në gjithë botën.