“Dhurata” e hidhur e qeverisë: Dy taksa të reja mbi naftën!

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 18.03.2026, 21:47

Në një kohë kur qytetarët prisnin një frymëmarrje nga çmimet e larta të karburanteve, qeveria ka vendosur të ndjekë rrugën e kundërt. Përmes një skeme të re që synon "sigurinë dhe gjurmimin", ekzekutivi ka njoftuar shtimin e dy tarifave të reja që do të rëndojnë direkt në çmimin final për litër. Kjo lëvizje vjen si një goditje e dyfishtë: nga njëra anë prezantohet tarifa e gjurmimit përmes një kompanie të re hibride me ortakë arabë, dhe nga ana tjetër, tarifa për krijimin e rezervës kombëtare të sigurisë, një projekt me faturë miliona eurosh që do të paguhet nga xhepat e konsumatorëve.

Kryeministri Edi Rama ka zyrtarizuar se gjurmimi i karburanteve do t'i lihet si ekskluzivitet kompanisë "Albtrace", një bashkim i shtetit shqiptar me kompaninë arabe "O & S Security and Solutions". Sipas kreut të qeverisë, kjo kompani publike do të përdorë një teknologji të sofistikuar, të quajtur "syri magjik", për të ndjekur naftën që hyn tranzit në vend, duke eliminuar mundësinë që karburanti i rieksportit të përfundojë ilegalisht në tregun vendas. Edhe pse premtohet modernizim dhe fundi i shoqërimit fizik nga doganierët, e vërteta e thjeshtë për qytetarët është se ky shërbim i ri do të faturohet si një kosto shtesë në çdo litër naftë që ata blejnë në pompë.

Por, nëse tarifa e gjurmimit konsiderohet si "barra e lehtë", ajo që pritet të tronditë tregun është tarifa për rezervën kombëtare të sigurisë. Ministria e Energjisë ka bërë të ditur krijimin e një agjencie të posaçme që do të mbajë një rezervë 90-ditore të produktit, duke ia hequr këtë detyrim subjekteve private. Megjithatë, kostoja për sigurimin e rreth 240 mijë tonëve naftë, me çmimet aktuale të tregut, kap shifrën marramendëse prej mbi 300 milionë dollarësh. Kjo shumë nuk do të dalë nga buxheti i shtetit, por do të mblidhet përmes një tarife të re dhe të konsiderueshme që do t'u shtohet taksave aktuale mbi karburantin.

Përpos faturës së blerjes së naftës, skema parashikon edhe kosto të rënda operative. Meqenëse shteti nuk i posedon të gjitha kapacitetet depozituese, agjencia e re do të marrë depo me qira, me një kosto që llogaritet minimalisht 25 milionë euro në vit. Këto shpenzime mirëmbajtjeje dhe qiraje do të jenë një tjetër "takse e fshehtë" që do të rëndojë mbi çmimin final. Ekspertët paralajmërojnë se kjo barrë e re fiskale do të rrisë edhe më shumë koston e transportit dhe do të ketë një efekt zinxhir në rritjen e çmimeve të produkteve të konsumit.

Kjo lëvizje e fundit e qeverisë e çon barrën fiskale mbi naftën në nivele rekord, duke e bërë Shqipërinë një nga vendet me karburantin më të shtrenjtë në rajon dhe më gjerë. Ndërsa qeveria flet për "sy magjik" dhe "siguri hidrokarbure totale", konsumatorët shohin vetëm rritjen e pashmangshme të shifrave në pikat e furnizimit, ku dy taksat e reja pritet të hyjnë në fuqi brenda pak javësh, duke e bërë lëvizjen me makinë një luks gjithmonë e më të papërballueshëm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit