Një histori sa e pazakontë aq edhe e ëmbël po bën xhiron e rrjeteve sociale, duke rrëmbyer zemrat e mijëra përdoruesve. Bëhet fjalë për një qen të racës Jack Russell, i cili është kthyer në një “ndihmës” të veçantë në një kishë të vogël në jug të Kretës, në Greqi.
Sipas videos, qeni kap me dhëmbë dhe tërheq litarin e kambanës së kishës, duke krijuar një skenë që ka habitur dhe emocionuar banorët vendas dhe jo vetëm. Videoja e tij është bërë virale në internet, ku shumë njerëz e kanë cilësuar si “qeni që bën rolin e priftit”.
Banorët e zonës tregojnë se prifti i kishës e ka gjithmonë pranë qenin e vogël, i cili është bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë së tij. Madje, ai konsiderohet si një “anëtar i familjes” dhe një ndihmës i veçantë në ambientet e kishës.
Ky moment i veçantë ka sjellë reagime te shumë njerëz, duke treguar edhe një herë lidhjen e fortë mes njerëzve dhe kafshëve, si dhe mënyrën se si gjestet më të vogla mund të kthehen në histori frymëzuese.