“C4 e vura se kisha 14 mijë euro borxhe”, detaje të reja nga vendosja e tritolit në makinën e Oltion Klosit

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 18.03.2026, 17:34

Jurgen Gjonaj, një nga personat kryesorë të arrestuar për vendosjen e tritolit “C4” ndaj makinës së Oltjon Klosit në Tiranë, ka bashkëpunuar me hetuesit duke zbardhur detaje të rëndësishme nga ngjarja e ndodhur në mesnatën e 10 marsit 2026. Ai ka pranuar rolin e tij në këtë krim, ndërsa ka treguar edhe rrethanat që e çuan drejt përfshirjes.

Sipas dëshmisë së tij, Gjonaj ndodhej në Mal të Zi kur është telefonuar nga Renato Balla, i cili i ka kërkuar të kthehej në Shqipëri për të kryer një porosi. Në këmbim, sipas tij, do t’i faleshin detyrimet financiare prej rreth 14 mijë eurosh, borxh i krijuar më herët në Gjermani. Rrëfimi i tij i plotë është siguruar nga gazetari Elton Qyno, ku ai pranon se ka hezituar disa herë përpara se të kryente aktin.

“...kam shkuar 3 herë dhe jam kthyer sërish nga rruga pasi u bëra pishman për të kryer një krim të tillë. Nuk doja ta realizoja, por e bëra sepse Renato Ballës i kisha 14 mijë euro borxhe...” – ka deklaruar Gjonaj.

Sipas dosjes hetimore, ai ka përdorur një sasi eksplozivi C4, të cilin e ka aktivizuar me fitil zjarrpërcjellës, duke sjellë shkatërrimin e plotë të automjetit tip “Mercedes-Benz” me targë AA 888 UE. Gjonaj ka treguar se ishte pajisur me biçikletë, kapuç dhe doreza për të mos u identifikuar, ndërsa ishte udhëzuar për vendndodhjen e mjetit dhe mënyrën e veprimit.

“...makina ishte e parkuar aty. Unë shkova 3 herë pasi u bëra pishman dhe nuk desha ta vendosja lëndën shpërthyese. Por duke qenë se i kisha borxh Renatos, e vendosa tek goma e parë nga ana e shoferit dhe e ndeza direkt fitilin...”

Pas shpërthimit, ai është larguar nga vendi i ngjarjes dhe më pas është ndihmuar nga persona të tjerë për t’u larguar drejt Burrelit, ndërsa gjatë marrjes në pyetje ka përmendur edhe emra të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë skemë kriminale. Arrestimi i tij u bë i mundur falë gjurmimit përmes kamerave të sigurisë në Tiranë, çka çoi në identifikimin dhe më pas ndalimin e tij.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit