Në Portin e Durrësit, aty ku paratë publike duket se kanë humbur busullën e transparencës, është konsumuar një tjetër akt i asaj që mund të quhet "vjedhje me letra" i pasuar nga një episod humori i raportuar ditën e djeshme nga JOQ Albania.
Liburn Aliu, në krye të këtij institucioni, ka firmosur më 27 janar 2026 një kontratë që mban erë pazari të paracaktuar 220 MIJË €.
Objekti i tenderit është "projekti i detajuar teknik i linjës hekurudhore Porto Romano-Sukth". Por pas emrit teknik fshihet një realitet i hidhur. Burime të brendshme konfirmojnë se gara ka qenë një farsë. Kompanitë e tjera u fshinë nga rruga me "gërshërët" e kritereve teknike, duke lënë si fitues të vetëm kompaninë ILLYRIAN CONSULTING ENGINEERS.
Ironia qëndron te çmimi pasi oferta fituese është pothuajse identike me fondin limit. Në botën e prokurimeve, ky "flamur i kuq" është një shenjë e qartë se shifra është rënë dakord në tavolinë përpara se të shpallej tenderi.

Në letra, pronar është Olset Haxhiu. Por në korridoret e pushtetit dhe biznesit, Haxhiu njihet thjesht si "hija" e Bashkim Ulajt, bosit të kompanisë Gener 2 dhe përfituesit rekord të fondeve publike, i cili tashmë është nën rrethin e zjarrit të SPAK-u për pastrim parash dhe afere me rrugët.
Kjo nuk është një rastësi, por një rrjet i thurur mirë. Haxhiu ka shërbyer si "urë lidhëse" në një skemë ku paratë e shtetit qarkullojnë mes të njëjtëve njerëz. Nga viti 2020, kjo kompani ka thithur rreth 2 milionë euro nga buxheti, ku një pjesë e mirë vijnë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i drejtuar nga Dritan Agolli (ish-punonjës i Ulajt). Skema është flagrante: Agolli i jep tendera Ulajt, ndërsa ky i fundit u fal familjarëve të Agollit hapësira luksoze në kullat e tij në Tiranë.
Ankesa kundër vetvetes është kulminante e këtij skandali që i kalon kufijtë e imagjinatës e që u denoncua në sistemin elektronik të prokurimeve, sikur inteligjenca artificiale ta ndiente që po vlonte korrupsioni për këtë tender duke bërë që fituesi të denonconte veten. Sapo ILLYRIAN CONSULTING ENGINEERS fitoi miliona lekët, sistemi regjistroi një ankesë... nga vetë fituesi!
Ky "autogol" administrativ bllokoi procesin për muaj me radhë, duke lënë specialistët e Portit pa fjalë.
Kompania u mbrojt duke thënë se ishte një "gabim i e-Albania", por vendimi final i Komisionit të Prokurimit Publik ishte qesharak... ankesa (që askush s’e pranon se e ka bërë) u rrëzua sepse ishte "jashtë afatit".