Dubai po përmendet gjithnjë e më shpesh si një nga destinacionet ku figura të krimit të organizuar ndërkombëtar kanë gjetur strehë, përfshirë edhe persona të shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare. Roli i këtij qyteti është vënë në fokus edhe nga hetime që nxjerrin në pah lidhjet mes luksit të shfrenuar dhe aktivitetit kriminal.
Në qendër të këtyre raportimeve është vendosur Hajdar Çopja, 42 vjeç nga Elbasani, i shpallur në kërkim për përfshirje në një organizatë të fuqishme të trafikut të kokainës. Prej vitesh ai jeton në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku në rrjetet sociale shfaq një stil jetese luksoz, me makina të shtrenjta, ora me vlerë të lartë dhe prona milionëshe.
Sipas hetimeve, Çopja dyshohet se ka përdorur identitete të ndryshme dhe aktivitetin kriminal e ka zhvilluar në bashkëpunim me vëllain e tij, Franc Çopja. Ky i fundit u ekstradua nga Dubai drejt Belgjikës në vitin 2023 dhe në janar 2026 u dënua me 25 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Bruksel për porositjen e vrasjes së Ardit Spahiu në vitin 2020.
Përveç trafikut të kokainës, ky klan lidhet edhe me konfliktin e dhunshëm që përfshiu Elbasan, në përplasjen me Erion Alibej. Sipas hetimeve, kjo përplasje ka nisur nga pazaret e drogës dhe është shoqëruar me atentate dhe akte hakmarrjeje si në Shqipëri ashtu edhe në vende të tjera të Evropës.
Në dëshmitë e dhëna për autoritetet belge, Alibej ka deklaruar se vëllezërit Çopja kanë investuar miliona euro të përfituara nga trafiku i kokainës në Dubai, përfshirë edhe blerjen e një apartamenti luksoz në zonën Palm Jumeirah, me vlerë rreth 20 milionë euro.
Ekspertët e sigurisë theksojnë se Dubai është kthyer në një nyje të rëndësishme ku grupe të ndryshme kriminale ndërkombëtare krijojnë lidhje, shkëmbejnë informacione dhe zhvillojnë metoda gjithnjë e më të sofistikuara për trafikun e drogës dhe pastrimin e parave, duke e bërë luftën kundër këtij fenomeni edhe më sfiduese në nivel global.