Parlamenti i Senegalit ka miratuar një ligj të ri që dyfishon dënimin maksimal për marrëdhëniet mes personave të të njëjtit seks, duke e çuar atë deri në 10 vite burg.
Projektligji, i cili kaloi me shumicë dërrmuese në Asamblenë Kombëtare (135 vota pro, asnjë kundër dhe 3 abstenime), tashmë pret firmën e presidentit Bassirou Diomaye Faye për të hyrë në fuqi.
Ligji i ri parashikon dënime nga 5 deri në 10 vite burg për atë që përkufizohet si “akte kundër natyrës”, term që përdoret për marrëdhëniet mes të njëjtit seks. Më parë, këto vepra dënoheshin me 1 deri në 5 vite burg.
Përveç kësaj, legjislacioni përfshin edhe ndëshkime për persona që promovojnë apo financojnë marrëdhënie të tilla, me dënime që variojnë nga 3 deri në 7 vite burg. Gjithashtu, parashikohen gjoba që shkojnë nga 2 milionë deri në 10 milionë franga CFA.
Sipas raportimeve mediatike, që nga muaji shkurt janë arrestuar dhjetëra persona në kuadër të ligjeve ekzistuese kundër komunitetit LGBTQ. Arrestimet shpesh janë bazuar në denoncime dhe kontroll të telefonave, ndërsa emrat e të ndaluarve janë bërë publikë.
Ligji i ri përfshin gjithashtu masa ndëshkuese për ata që akuzojnë të tjerë për marrëdhënie të tilla pa prova.
Debati parlamentar është shoqëruar me deklarata të forta. Deputetja Diaraye Ba u shpreh gjatë seancës se “homoseksualët nuk do të kenë më liri shprehjeje në këtë vend”, deklaratë që u prit me duartrokitje nga disa kolegë.