Izraeli vlerëson Ramën pasi Kuvendi shpalli Iranin shtet terrorist: Rezolutë historike!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 17.03.2026, 17:49

Izraeli ka reaguar zyrtarisht pas vendimit të Kuvendit të Shqipërisë për të shpallur Iranin si shtet sponsor të terrorizmit, një rezolutë që u miratua me 79 vota pro dhe 1 abstenim.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, përmes një reagimi në platformën X, e cilësoi këtë vendim si një hap të rëndësishëm në politikën e jashtme të Shqipërisë.

Në deklaratën e tij, ai shprehu vlerësimin për kryeministrin Edi Rama dhe për Kuvendin e Shqipërisë, duke e quajtur rezolutën “historike” dhe duke theksuar se ajo përfaqëson një qëndrim të qartë kundër terrorizmit në të gjitha format e tij.

Sipas Sa’ar, ky vendim reflekton një dimension të qartë moral në qasjen ndërkombëtare të Shqipërisë, duke nënvizuar se terrorizmi mbetet një nga kërcënimet më serioze për shoqëritë demokratike.

Rezoluta në fjalë u propozua nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe përveç shpalljes së Iranit si shtet sponsor të terrorizmit, ajo përfshin edhe klasifikimin e Gardës Revolucionare Islamike dhe grupit Hezbollah si organizata terroriste.

Seanca parlamentare ku u votua kjo rezolutë u shënua nga mungesa e deputetëve të opozitës, të cilët e bojkotuan atë, me përjashtim të disa përfaqësuesve nga Parti të tjera më të vogla.

Vendimi i Kuvendit të Shqipërisë përbën një zhvillim të rëndësishëm në qëndrimet zyrtare të vendit në arenën ndërkombëtare, ndërsa reagimi i Izraelit konfirmon vëmendjen dhe rëndësinë që i është kushtuar këtij akti në nivel diplomatik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit