Një grabitje e mirëorganizuar ka ndodhur gjatë orëve të natës në banesën e futbollistit të AS Romës, Neil El Aynaoui, në zonën e Castel Fusano, në bregdetin e Romës.
Rreth orës 03:00, gjashtë persona të armatosur, të veshur me të zeza dhe me fytyrat e mbuluara, kanë hyrë në banesë pasi kanë thyer hekurat mbrojtëse të një dritareje në sallon. Pasi kanë depërtuar brenda, ata kanë neutralizuar menjëherë personat që ndodheshin në shtëpi, futbollistin, nënën e tij, partneren, vëllanë dhe partneren e këtij të fundit, duke i mbyllur në një dhomë për të shmangur çdo reagim.
Më pas, autorët kanë kontrolluar ambientet e banesës dhe kanë marrë sende me vlerë, përfshirë bizhuteri që vlerësohen rreth 10 mijë euro, një orë luksoze Rolex dhe disa çanta të markave të njohura.
Pas përfundimit të grabitjes, ata janë larguar pa lënë gjurmë. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, ndërsa hetimet janë marrë në dorë nga Njësia e Lëvizshme, e cila po punon për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të identifikuar autorët.