Një situatë shqetësuese është denoncuar nga banorët në zonën e Valiasit, vetëm pak metra larg godinës administrative të Bashkisë Kamëz, ku kanalet e ujërave të zeza ndodhen të hapura dhe në kushte të rënda higjieno-sanitare.
Sipas banorëve, ujërat e zeza rrjedhin në kanale të pambuluara, duke krijuar ndotje të madhe dhe një rrezik serioz për shëndetin e komunitetit. Era e rëndë dhe prania e vazhdueshme e ujërave të ndotura kanë kthyer zonën në një problem të përditshëm për familjet që jetojnë aty pranë.
Ironikisht, kjo situatë ndodh pranë institucionit që duhet të garantojë shërbimet bazë për qytetarët, ndërsa banorët shprehen se prej kohësh kërkojnë ndërhyrje për sistemimin e kanalizimeve, por deri tani problemi mbetet i pazgjidhur.
Ata paralajmërojnë se përveç ndotjes së ambientit, ekziston edhe rreziku i përhapjes së infeksioneve dhe sëmundjeve, sidomos për fëmijët që jetojnë në zonë.
Banorët i bëjnë thirrje Bashkisë Kamëz dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë sa më parë për të sistemuar kanalet e ujërave të zeza dhe për t’i dhënë fund kësaj situate që, sipas tyre, po rrezikon çdo ditë banorët.