Një denoncim shqetësues ka mbërritur nga qytetarë të Kavajës, të cilët thonë se në ambientet e varrezave të qytetit janë kryer ndërhyrje të rënda me mjete të rënda, duke hapur një kanal pranë varreve për të kulluar ujërat e bizneseve përreth.
Sipas qytetarëve, pranë murit të varrezave ndodhen disa lavazhe dhe dyshohet se për të larguar ujërat e përdorura është hapur një vijë kanali brenda territorit të varrezave. Ata thonë se kanali është rreth 50 metra i gjatë dhe është hapur shumë pranë varreve, duke krijuar një gropë të madhe që ka dëmtuar zonën dhe ka shkaktuar indinjatë tek familjarët e të ndjerëve.
Nga pamjet e dërguara, duket qartë se punimet janë kryer brenda rrethimit të varrezave, gjë që sipas qytetarëve nuk mund të ndodhte pa lejen e institucioneve vendore. Ata ngrenë dyshime se ndërhyrja është bërë me miratimin e Bashkisë Kavajë, pasi futja e fadromave dhe mjeteve të rënda brenda këtij territori konsiderohet e pamundur pa një autorizim.
“Kanë hyrë në ambientet e varrezave dhe kanë hapur një kanal rreth 50 metra të gjatë pranë varreve, për të kulluar ujërat e lavazheve që janë ngjitur me murin e varrezave. Janë varret e familjarëve tanë dhe është e papranueshme të bëhen ndërhyrje të tilla,” shprehen qytetarët në denoncimin e tyre.
Qytetarët kërkojnë reagim dhe sqarim nga Bashkia Kavajë për këtë situatë, si dhe marrjen e masave për ndalimin e ndërhyrjeve që, sipas tyre, cenojnë respektin ndaj të ndjerëve dhe dinjitetin e varrezave të qytetit.