Qindra qytetarë bëjnë homazhe në kujtim të 25-vjeçares Xhuana Nikollaj

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 13.03.2026, 19:17

Qindra qytetarë u mblodhën në qendër të qytetit të Lezhës për të zhvilluar homazhe në kujtim të 25-vjeçares Xhuana Nikollaj, e cila humbi jetën në rrethana tragjike pas dhunës së dyshuar nga ish-partneri i saj.

Të pranishmit ndezën qirinj dhe vendosën buqeta me lule pranë fotos së të resë nga Shëngjini, duke shprehur dhimbjen dhe solidaritetin me familjen e saj. Tubimi u kthye edhe në një thirrje kundër dhunës ndaj grave.

Ngjarja ndodhi menjëherë pas Ditës Ndërkombëtare të Gruas, më 8 mars, duke rikthyer në vëmendje problemin e dhunës ndaj vajzave dhe grave në vend.

Ndërkohë, ish-partneri i saj, Eraldo Fizi, është shpallur në kërkim nga Policia, nën dyshimin për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Shkaktim i vetëvrasjes”.

Sipas të dhënave paraprake të hetimit, ai ishte kthyer nga jashtë vendit më 9 mars dhe dyshohet se kishte shkuar në banesën e ish-bashkëshortes në Tiranë, ku dyshohet të ketë pasur një përplasje mes tyre. Një ditë më pas, në orët e para të mëngjesit të 10 marsit, 25-vjeçarja ndërmori aktin fatal.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se në trupin e saj janë konstatuar edhe shenja dhune në kokë, fytyrë dhe në njërin krah, ndërsa në banesë është gjetur edhe një letër që e reja kishte lënë për prindërit.

Xhuana Nikollaj dhe Eraldo Fizi ishin martuar në qershor të vitit 2025 në Lezhë, por martesa kishte zgjatur vetëm rreth tre muaj. Pas ndarjes, 25-vjeçarja ishte zhvendosur në Tiranë për të jetuar me motrat e saj.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat që çuan në këtë ngjarje tragjike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit