Një situatë shqetësuese po përsëritet vazhdimisht në rrugën dytësore në Vorë, ku drejtues të ndryshëm mjetesh po parakalojnë në mënyrë të gabuar, duke dalë para radhës së automjeteve që presin të kalojnë sipas rregullave.
Sipas qytetarëve që qarkullojnë çdo ditë në këtë zonë, një pjesë e shoferëve zgjedhin të shmangin radhën dhe futen me forcë përpara makinave të tjera. Kjo sjellje po krijon tension mes drejtuesve të mjeteve, bllokime të panevojshme në trafik dhe situata të rrezikshme për aksidente.
Ky fenomen është bërë i përditshëm dhe se mungesa e kontrollit nga policia rrugore ka bërë që disa drejtues të ndihen të lirë të shkelin rregullat pa asnjë pasojë.
Në vend që trafiku të ecë normalisht sipas radhës, ndërhyrjet e paligjshme të disa shoferëve po e kthejnë këtë segment në një pikë problematike për qarkullimin. Qytetarët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për të vendosur rregull dhe për të shmangur rrezikun e aksidenteve.