Një 21-vjeçare rumune Elena Rebeca Burcioiu, është zhdukur prej disa ditësh në zonën e Foggias në Itali, ndërsa autoritetet po përqendrojnë hetimet edhe në pistën e prostitucionit dhe personat që mund të kenë pasur kontakt me të para zhdukjes. Sipas mediave italiane, vajza është parë për herë të fundit më 2 mars pranë një rruge nacionale në provincën e Foggias. Pas denoncimit, policia dhe ekipet e kërkim-shpëtimit kanë zhvilluar kontrolle të shumta në zonë.
Gjatë kërkimeve, autoritetet kanë gjetur fillimisht xhaketën që mbante vajza, ndërsa pak më larg është zbuluar edhe telefoni i saj celular. Këto prova kanë shtuar dyshimet se e reja mund të jetë përfshirë në një situatë të rrezikshme pak para zhdukjes. Shoqja e saj, me të cilën jetonte në Itali, ka deklaruar se fillimisht kishin punuar në bujqësi dhe më pas dyshohet se ishin përfshirë në prostitucion në një segment të Rrugës Shtetërore 16 në zonën e Foggias.
Më tej, shoqja ka treguar se disa ditë para zhdukjes ato ishin kërcënuar nga një burrë shqiptar që kërkonte pagesë periodike për të vazhduar punën në atë zonë. Ditën e zhdukjes, 21-vjeçarja u largua me një makinë tip BMW të zezë me një person të ri brenda dhe më pas telefoni i saj u ndërpre papritur, duke humbur çdo kontakt. Autoritetet italiane kanë intensifikuar kërkimet me dronë dhe qen nuhatës, ndërsa fati i vajzës mbetet ende i panjohur.