Një skenë që për shumëkënd tingëllon si paradoksi më i madh i politikës shqiptare u pa mbrëmjen e së enjtes në Tiranë, ku kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama shtruan një iftar të madh në Pallatin e Kongreseve.
Në iftar të pranishëm ishin pushtetarë hajdutë, biznesmenë të tepsisë së tenderave, gazetarë të oborrit të pushtetit, mohues të Zotit, madje edhe pjesëtarë të komunitetit LGBTQ, një përzierje që e bën edhe më ironike retorikën morale që u dëgjua në sallë.
Në një vend ku skandalet me korrupsionin, aferat publike dhe akuzat për grabitje të pasurisë së përbashkët janë bërë rutinë, pamja e politikanëve që mbledhin duart për lutje në një sofër iftari nuk mund të mos ngjallë një dozë të fortë ironie.
Gjatë fjalës së tij, Rama përdori referenca nga feja dhe filozofia, duke e përshkruar sofrën e iftarit si një vend ku bashkohen njerëzit, besimet dhe universi.
Por jashtë sallës së ndriçuar të Pallatit të Kongreseve, realiteti i Shqipërisë mbetet krejt tjetër: qytetarë që përballen çdo ditë me vështirësi ekonomike, të rinj që largohen masivisht nga vendi dhe një listë e gjatë skandalesh që prej vitesh rëndojnë mbi politikën shqiptare.
Dhe pikërisht këtu lind kontrasti që shumë qytetarë e shohin si hipokrizi: të njëjtët njerëz që përmenden vazhdimisht në akuza për abuzime me pushtetin, shfaqen për disa orë si predikues morali dhe uniteti, duke cituar libra të shenjtë dhe filozofë.
Për shumë shqiptarë natyrshëm lind kjo pyetje: A mjafton një darkë iftari dhe disa citime filozofike për të larë ndërgjegjen e një klase politike që prej vitesh akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim pushteti?
Sepse në Shqipëri ndodh shpesh që kur vijnë festat fetare, politikanët kujtohen papritur për Zotin, moralin dhe unitetin… ndërsa pjesën tjetër të vitit qytetarët mbeten vetëm përballë realitetit që ata vetë kanë ndërtuar.