“Policia më dhunoi dhe më dëmtoi pronën pa vendim gjykate”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 11.03.2026, 21:27

Një banore e fshatit Bërshi në Bashkinë Klos, Dafina Alla, i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania duke denoncuar atë që e cilëson si një ndërhyrje të padrejtë dhe të dhunshme nga punonjës të policisë në pronën e saj.

Sipas saj, dy efektivë policie, të shoqëruar edhe nga disa persona të tjerë dhe fqinjë me të cilët ajo është në konflikt për pronën, kanë hyrë në tokën e saj dhe kanë shkulur gardhin rrethues, pa praninë e saj dhe pa një vendim gjykate. Alla thekson se çështja për pronën ndodhet aktualisht në proces gjyqësor dhe nuk ka ende një vendim përfundimtar.

Banorja pretendon gjithashtu se gjatë përplasjes me policinë është dhunuar fizikisht, ndërsa telefoni i saj është përplasur në tokë në momentin kur po përpiqej të filmonte ndërhyrjen.

Në videot e dërguara në redaksinë tonë dëgjohet një debat i ashpër mes saj dhe shefit të krimeve të rrethit Mat, Lorenc Alija, ku gruaja e akuzon drejtpërdrejt për dhunë.

“Ti më ke dhunuar, do të të denoncoj! Mos ma prek telefonin,” dëgjohet të thotë ajo në video, ndërsa në pamje duket se efektivi përpiqet t’i marrë telefonin teksa ajo po filmonte situatën.

Në një tjetër video, Alla tregon një lëndim në gishtin e dorës, ku shihet edhe gjak, për të cilin ajo pretendon se është shkaktuar gjatë përplasjes me policinë.

Banorja kërkon që rasti të bëhet publik dhe të hetohet nga institucionet përkatëse, duke theksuar se ndërhyrja në pronën e saj është bërë pa një urdhër gjykate, ndërsa konflikti për pronën vijon të jetë ende në shqyrtim nga drejtësia.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit