“Nuk doja më që ata njerëz që më kanë bërë keq të vazhdonin të më lëndonin”, këto janë fjalët që dyshohet se ka lënë në një letër 25-vjeçarja Xhuana Nikolli, para se t’i jepte fund jetës.
Sipas burimeve, në fund të letrës e reja u kishte kërkuar ndjesë prindërve të saj për vendimin ekstrem. 25-vjeçarja ndërroi jetë një ditë më parë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, pasi dyshohet se u vetëhelmua.
Ngjarja e rëndë ka tronditur opinionin publik, ndërsa familjarët e saj kanë bërë kallëzim në Komisariatin nr. 2 në Tiranë kundër ish-bashkëshortit të viktimës, Eraldo Fizi, i cili është shpallur në kërkim nga policia.
Sipas kallëzimit të familjarëve, 25-vjeçarja ishte dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nga ish-bashkëshorti i saj. Ata pretendojnë se dhuna ndaj saj kishte qenë e vazhdueshme dhe brutale.
Pas ngjarjes, policia ka kryer këqyrjen e trupit të pajetë të të resë. Sipas të dhënave paraprake, ajo dyshohet se i dha fund jetës duke konsumuar fostoksinë. Gjatë ekzaminimit mjeko-ligjor janë konstatuar edhe shenja të rënda dhune në pjesën e kokës, fytyrës dhe në njërin krah.
Të afërmit kanë deklaruar se Eraldo Fizi ishte kthyer nga jashtë vendit më 9 shkurt. Po atë ditë ai kishte takuar ish-bashkëshorten e tij, nga e cila ishte divorcuar vetëm tre muaj pas martesës së tyre, e cila ishte celebruar në qershor të vitit 2025.
Sipas dyshimeve, gjatë këtij takimi ai mund të ketë ushtruar dhunë fizike ndaj 25-vjeçares. Ndërkohë, policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.