Pas plot një viti, duket se edhe Gjykata Kushtetuese është “zgjuar” për të dhënë një verdikt mbi një nga vendimet më të debatueshme të qeverisë Rama, mbylljen e rrjetit social TikTok.
Sot, Gjykata Kushtetuese arsyetoi se bllokimi i platformës përbënte një cenim të lirisë së shprehjes, një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta. Vendimi vjen një vit pasi përfaqësues të Asociacioni i Gazetarëve Shqiptarë depozituan kërkesën për pezullimin e vendimit të qeverisë që mbylli aksesin në rrjetin social.
Sipas Gjykatës, ndërprerja e aksesit në TikTok përbën kufizim të lirisë së fjalës dhe të shtypit, ndaj çdo masë e tillë duhet të jetë e arsyetuar dhe proporcionale me qëllimin që synon të arrijë. Me pak fjalë, nuk mund të mbyllet një platformë për të gjithë vendin vetëm me një vendim administrativ.
Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se një vendim i tillë duhej të ishte marrë me ligj dhe jo me një Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM). Sipas saj, VKM-të nuk i japin qeverisë një autorizim të qartë dhe të posaçëm për të vendosur masa kaq të gjera, siç është ndërprerja e plotë e aksesit në një platformë online për të gjithë përdoruesit në vend.
Pra, për ta përkthyer në gjuhën e përditshme: një rrjet social u mbyll për gjithë Shqipërinë me një VKM, ndërsa tani, një vit më pas, Gjykata thotë se kjo nuk ishte mënyra e duhur për ta bërë.
Ndërkohë, ironia qëndron te fakti se vendimi që vjen sot duket më shumë si një analizë e një historie të shkuar, pasi debati për TikTok ka kaluar tashmë disa kapituj politikë dhe mediatikë dhe është hapur sërish. Megjithatë, sipas Gjykatës Kushtetuese, parimi mbetet i qartë: liria e shprehjes nuk mund të bllokohet me një të rënë të lapsit nga qeveria.