Gjykata franceze anulon dëbimin e shqiptarit, familja pret rikthimin e tij në Francë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 11.03.2026, 15:09

Gjykata Administrative e Besançon ka anuluar vendimin për dëbimin drejt Shqipërisë të shtetasit shqiptar Fatjon Salihi, i cili ishte larguar nga Franca më 23 shkurt 2026 me urdhër të prefekturës së Jura.

Sipas raportimit të gazetës Le Progrès, më 5 mars gjykata vendosi të shfuqizojë të gjitha vendimet e prefekturës që lidhen me këtë rast. Megjithatë, familja e tij ende nuk e di se kur dhe në çfarë mënyre ai do të mund të rikthehet në Francë.

Dëbimi i Salihit shkaktoi reagime të forta në komunitetin ku jetonte. Ai u deportua në Shqipëri duke lënë pas bashkëshorten dhe dy fëmijët e tyre të vegjël, 6 dhe 4 vjeç, si dhe një kontratë pune të përhershme si shef kantieri në sektorin e ndërtimit.

Fatjoni dhe bashkëshortja e tij, Berina Salihi, kishin mbërritur në Francë në vitin 2021. Që atëherë, ai punonte në kompaninë e ndërtimit RP Routes, ku kishte avancuar gradualisht deri në pozicionin e shefit të kantierit – një profesion për të cilin kompanitë e ndërtimit shpesh kanë mungesë punonjësish.

Familja jetonte në Andelot-en-Montagne. Djali i tyre i madh, 6 vjeç, ka lindur në Shqipëri, ndërsa vajza 4-vjeçare ka lindur në Francë.

Sipas Arnaud Dulong, përfaqësues i shoqatës Ajir (Accueil Jurassien Intercommunautaire de Réfugiés), e cila po mbështet familjen, vendimi i gjykatës është një zhvillim pozitiv pasi janë anuluar të gjitha masat ndaj Salihit: detyrimi për të lënë territorin francez (OQTF), ndalimi i rikthimit, refuzimi i afatit për largim vullnetar dhe masa e qëndrimit të detyruar.

Megjithatë, ai thekson se situata mbetet ende e paqartë.

“Dy fëmijët e tyre nuk flasin shqip, çka tregon dëshirën e familjes për t’u integruar në Francë,” tha Dulong, duke shtuar se Salihi ka edhe familjarë të tjerë që jetojnë prej kohësh në Francë, përfshirë një motër që tashmë ka marrë shtetësinë franceze.

Ndërkohë, bashkëshortja e tij shprehet se largimi i papritur e ka lënë familjen pa të ardhura.

“Ai më mungon shumë, ashtu si edhe fëmijëve,” tha Berina Salihi, duke shtuar se shpreson që bashkëshorti të kthehet sa më shpejt pranë familjes.

Sipas raportimeve, nuk është ende e qartë nëse Salihi e ka marrë pasaportën e tij, e cila mund të jetë dorëzuar nga autoritetet franceze tek ato shqiptare.

Nga ana tjetër, punëdhënësi i tij, Pascal Guinchard, ka bërë të ditur se vendi i punës i është ruajtur.

“Ne e kemi trajnuar dhe ai është një punonjës shumë i mirë. Po presim me padurim rikthimin e tij,” u shpreh ai.

Prefektura e Jura nuk ka komentuar për këtë çështje, por ka afat dy muaj për të marrë një vendim përfundimtar mbi të ardhmen e Fatjon Salihit dhe familjes së tij.

Ndërkohë, edhe bashkëshortja e tij ndodhet nën një urdhër për largim nga territori francez dhe shprehet e shqetësuar për të ardhmen.

“Ne duam vetëm që ai të kthehet dhe të punojë, që të mos kemi më nevojë për ndihmë,” tha ajo.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit