Pas Tiranës, motoristët e Wolt protestë-marshim me motorë edhe në rrugët e Durrësit

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 10.03.2026, 22:09

Protesta e korrierëve të platformës së shpërndarjes së ushqimit Wolt duket se po zgjerohet edhe në qytete të tjera të vendit. Pas marshimit që zhvilluan disa ditë më parë në Tiranë, motoristët kanë dalë sërish në protestë edhe në qytetin e Durrësit.

Në pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania, dhjetëra korrierë shihen teksa marshojnë me motorët e tyre në rrugët e qytetit bregdetar, duke rënë borive në shenjë proteste dhe pakënaqësie ndaj kushteve të punës dhe pagesave.

Kjo protestë vjen vetëm pak ditë pasi një grup korrierësh protestuan edhe në Tiranë, ku marshuan me motorët e Wolt në rrugët e kryeqytetit për të ngritur shqetësimet e tyre.

Në qendër të kërkesave të motoristëve qëndron rritja e pagesës për çdo kilometër të përshkuar gjatë shpërndarjes së porosive, nga restorantet deri në adresën e klientit. Ata thonë se aktualisht pagesat janë të ulëta dhe nuk përputhen me vështirësinë e punës që kryejnë çdo ditë.

Një tjetër kërkesë e tyre lidhet me rastet kur porositë duhet të dorëzohen në katet e pallateve, veçanërisht në ndërtesat e larta. Sipas motoristëve, për këto raste duhet të parashikohet një pagesë shtesë.

Po ashtu, ata kërkojnë që kur klientët zgjedhin opsionin e dërgesës së shpejtë, edhe korrierët të përfitojnë një pagesë ekstra për këtë shërbim.

Mes shqetësimeve të ngritura është edhe aplikacioni i kompanisë, ku motoristët kërkojnë që të shfaqet simboli i motorit dhe jo ai i motoçikletës, pasi dyshojnë se kjo mund të ndikojë në mënyrën e llogaritjes së pagesave.

Korrierët pretendojnë gjithashtu se muajt e fundit kompania ka punësuar edhe shtetas të huaj nga vendet e Azisë me kosto më të ulët. Sipas tyre, kjo nuk është problem në vetvete, por kërkojnë që fillimisht të respektohen të drejtat dhe kushtet e punës për motoristët që tashmë punojnë në këtë platformë.

Ndër kërkesat e tjera është edhe sigurimi nga kompania i mjeteve dhe uniformave të punës, pasi sipas tyre një pjesë e korrierëve, sidomos të rinjtë, detyrohen t’i paguajnë vetë këto pajisje.

Wolt operon prej rreth dy vitesh në tregun shqiptar të shpërndarjes së ushqimit dhe në një kohë të shkurtër ka tërhequr qindra të rinj që punojnë si korrierë. Megjithatë, me kalimin e kohës kanë nisur të shtohen edhe pakënaqësitë lidhur me nivelin e pagesave dhe kushtet e punës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit