Nxënësi i shkollës së mesme “Sulejman Delvina” në Delvinë, i cili u plagos me thikë nga një bashkëmoshatar i tij brenda ambienteve të shkollës, ka reaguar publikisht disa ditë pas ngjarjes duke kërkuar drejtësi.
Në një prononcim për mediat, ai pretendon se babai i autorit është përpjekur ta korruptojë që të heshtë për incidentin.
Sipas të miturit, ai nuk ka pasur asnjë komunikim me autorin pas ngjarjes dhe nuk dëshiron të ketë kontakte me të apo me persona të lidhur me të. Ai tregon se është takuar vetëm me babanë e agresorit, i cili sipas tij ka tentuar ta bindë me para që të mos e ndjekë më tej çështjen.
“Unë nga ai nuk kam pasur asnjë telefonatë, as nuk dua që të kem nga persona të tillë, as nuk dua, sepse nuk janë në interesin tim njerëz të tillë. Unë nga babai i tij kam pasur takim. Bile babai i atij u mundua të më korruptonte, por unë nuk korruptohem me lekë i them babait të atij”, thotë i mituri. “Edhe t'i bjerë sa të dojë, jo xhepave, por kujt të dojë. Ta mbushi Delvinën plot me lekë. Unë kërkoj drejtësi. Në qoftë se nuk ka drejtësi, dihen që janë gjërat e tjera në këtë mes pastaj”.
I riu, i cili mori katër goditje me thikë, thotë se nuk ndihet i sigurt për sa kohë autori lëviz i lirë në qytet. Sipas tij, fakti që agresori është rikthyer në jetën e përditshme më shpejt sesa ai është rikuperuar nga plagët, e bën situatën edhe më shqetësuese.
“Unë nuk ndihem i sigurt kur ai shëtit i qetë nëpër Delvinë, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nëse do të ishte e kundërta, unë nuk do të isha i lirë. Ai më sulmoi pa arsye dhe mund ta bëjë sërish”, thotë ai.
Ndërkohë, drejtoria e shkollës së mesme “Sulejman Delvina” ka konfirmuar se nxënësi i dyshuar si autor i plagosjes është përjashtuar nga shkolla. Mbetet ende për t’u parë se çfarë masash do të ndërmarrin organet ligjzbatuese për këtë rast.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim në komunitetin e Delvinës, duke rikthyer vëmendjen te nevoja për më shumë kujdes, komunikim dhe bashkëpunim mes shkollës, familjes dhe institucioneve. Sipas ekspertëve të arsimit dhe komunitetit lokal, vetëm një bashkëpunim i tillë mund të ndihmojë në parandalimin e përshkallëzimit të konflikteve mes të rinjve në forma të rënda dhune.