SI SOT/ Llatja i dha leje ndërtimi babait për pallat në Elbasan, pse SPAK s’vepron?

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 10.03.2026, 15:01

Një vit më parë, JOQ denoncoi një skemë të dyshuar korrupsioni në Bashkinë e Elbasanit që lidhej me miratimin e lejes së ndërtimit për kompleksin “Arena”, një projekt me vlerë qindra mijëra euro. Leja u miratua nga kyebashkiaku Gledian Llatja, ndërsa projekti realizohej nga kompanitë “Togli Konstruksion” dhe “Dika 2011”, në pronësi të Rexhep Jollës dhe Mario Dikës. Dyshimet u shtuan pasi një nga përfituesit e investimit rezulton të jetë edhe Iljaz Llatja, babai i kryebashkiakut, çka ngriti pikëpyetje të forta për konflikt interesi dhe përdorim të pushtetit për përfitime familjare.

Asokohe u ngritën dyshime edhe për skema tenderash në Bashkinë e Elbasanit, ku përmes firmave të zyrtarëve të lartë u favorizuan biznesmenë të lidhur me politikën dhe botën e krimit. Fillimisht tenderat firmoseshin nga nënkryetarja Aulona Bylykbashi, ndërsa më pas kjo përgjegjësi iu kalua nënkryetarit Asim Sula. Mes rasteve të përfolura ishte dhe një tender prej rreth 650 mijë eurosh që përfundoi tek biznesmeni Nuri Balla, ndërsa në qarkun e Elbasanit përmendet shpesh edhe emri i biznesmenit Eral Myftaraj, i cili sipas të dhënave publike ka përfituar rreth miliona euro tendera përmes kompanive “Meteo” dhe “AL-MEXWOOD”.

Në këtë zinxhir përfitimesh u përmend edhe drejtori i Ujësjellësit në Elbasan, Luan Tabaku, i cili firmosi një kontratë rreth 2.3 milionë euro për një kompani të lidhur me Myftarajn, ndërsa në dosje hetimore janë përmendur edhe kompani të tjera si “Viola Green”, në pronësi të Bujar Shegës, që ka marrë kontrata për pastrimin e qytetit me vlerë rreth 600 mijë euro. Emra të tjerë të përmendur në hetime lidhen me persona të dyshuar për financim të grupeve kriminale në Elbasan. Një vit pas publikimit të këtyre denoncimeve, mbetet ende e paqartë nëse Prokuroria e Posaçme (SPAK) do të thellojë hetimet për këto dyshime dhe kur institucionet do të japin një përgjigje për akuzat e ngritura mbi lidhjet mes tenderave publikë, interesave private dhe grupeve kriminale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit