Përmbyset makina me 3 vajza shqiptare, njëra prej tyre plagoset rëndë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 09.03.2026, 19:17

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme në aksin Kapshticë–Kostur, në territorin grek, rreth 15 kilometra larg pikës kufitare të Kapshticës.

Sipas informacioneve që kanë mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, një automjet ku udhëtonin tre vajza shqiptare është përplasur me bordurën e rrugës dhe më pas është përmbysur në mes të aksit.

Si pasojë e aksidentit, njëra prej vajzave ka mbetur e plagosur rëndë. Në pamjet e mbërritura në redaksinë tonë ajo shihet e shtrirë në rrugë, ndërsa qytetarët e pranishëm i kanë dhënë ndihmën e parë deri në momentin e mbërritjes së ambulancës.

Sipas dëshmisë së një qytetari që ndodhej në vendngjarje dhe dërgoi pamjet, vajza që ka mbetur më rëndë ishte pasagjere në sediljen e pasme të automjetit dhe dyshohet se është hedhur jashtë mjetit pas përmbysjes së makinës.

Ndërkohë, drejtuesja e mjetit dhe pasagjerja tjetër kanë pësuar dëmtime më të lehta.

Të treja vajzat janë transportuar me ambulancë drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Sipas të njëjtit burim, vajzat kishin hyrë në territorin grek nga Shqipëria pak para aksidentit dhe të treja rezultojnë shtetase shqiptare.

Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa paraprakisht dyshohet se drejtuesja e automjetit ka humbur kontrollin dhe është përplasur me bordurën e betonit në anë të rrugës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit