Nga rezidencë në resort me 5 yje: 6 Milionë euro për vilat qeveritare në Dajt

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 09.03.2026, 18:54

Ndërsa Tirana mbytet nga smogu dhe zhurma e protestave, krerët e shtetit kanë vendosur të kërkojnë "paqen" në lartësitë e Dajtit. Rezidenca qeveritare në Parkun Kombëtar po shndërrohet në një resort luksoz me 5 yje, ku pishinat panoramike dhe sallat e konferencave do të paguhen me plot 6.2 milionë euro nga taksat e shqiptarëve.

Tenderi "Sekret" dhe Projekti Faraonik

Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka mbyllur procedurat për atë që e quan "rivitalizim i rezidencës, vila Dajt". Fitues i këtij tenderi, që kap vlerën e saktë prej 619 milionë lekësh, është shpallur kompania “Hastoçi”.

Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), i drejtuar po nga ata që do ta frekuentojnë këtë resort, ka zbardhur tashmë lejen e ndërtimit. Projekti parashikon një ndërhyrje rrënjësore në një truall prej 15 mijë metra katrorësh, ku dy vilat ekzistuese do të vishen me gur e dru, duke u kthyer në oaza relaksi për pushtetarët.

Pishinë mbi Smogun e Tiranës

Sipas dokumenteve të hulumtuara, rivitalizimi përfshin:

  • Rikonstruksionin e Vilës 1 (450 m²) dhe Vilës 2 (672 m²).

  • Ndërtimin e një pishine panoramike që ofron pamje mbi kryeqytetin.

  • Një sallë të re konferencash për takime "strategjike".

  • Veranda dhe ambiente çlodhëse që i ngjasojnë më shumë një hoteli luksoz sesa një godine shërbimi shtetëror.

Në momentin që zyrtarët e lartë do të shijojnë pishinën në freskinë e malit, panorama e tyre do të jetë smogu i dendur i Tiranës që kanë ndërtuar vetë, ose në rastet e mbrëmjeve të nxehta politike, dritat e molotovëve nga protestat e opozitës në bulevard.

Një Stil "Enverist" në Mandatin e Katërt

Duket se qeveritarët po "kopjojnë" me përpikmëri stilin e diktatorit Enver Hoxha, i cili njihej për rrjetin e tij të rezidencave luksoze nga veriu në jug. Nga Tirana në Pogradec, e nga Vlora në Dhërmi, oreksi për rezidenca qeveritare po rritet paralelisht me varfërinë e qytetarëve.

Pyetja që lind natyrshëm është: A kanë punuar kaq fort këta shtetarë sa ta ndjejnë kaq shumë nevojën për këtë relaks prej 6 milionë eurosh? Ndërsa Parku i Dajtit "rivitalizohet" për pak duar njerëzish, publiku mbetet të shohë nga larg se si paratë e buxhetit kthehen në gur, dru dhe ujë pishine për luksin e radhës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit