Gara për titullin në Serie A, çfarë ndodh nëse Milani dhe Interi e mbyllin sezonin me pikë të barabarta

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 09.03.2026, 18:29

Derbi i fundit mes Milanit dhe Interit ka rikthyer sërish diskutimet për garën e titullit në Serie A. Para kësaj përballjeje, diferenca mes dy skuadrave ishte 10 pikë dhe mund të shkonte në 13 nëse Interi do të dilte fitues. Megjithatë, triumfi i Milanit e ngushtoi hendekun në shtatë pikë, duke rindezur shpresat dhe debatet mes tifozëve për atë që mund të ndodhë deri në javën e fundit të kampionatit.

Një nga skenarët që po diskutohet është mundësia që dy skuadrat ta mbyllin sezonin me të njëjtin numër pikësh. Sipas rregullores së re, në një rast të tillë titulli nuk vendoset më nga golavarazhi, por nga një ndeshje “play-off” mes dy ekipeve, e cila do të përcaktojë kampionin e Italisë.

Nga sezoni i kaluar është ndryshuar edhe mënyra e zhvillimit të kësaj përballjeje. Ndryshe nga më parë, ndeshja nuk luhet në fushë neutrale, por në stadiumin e skuadrës që ka rezultatin më të mirë në përballjet direkte gjatë sezonit.

Në sezonin 2025/26, kjo do të thotë se një play-off i mundshëm mes Milanit dhe Interit do të zhvillohej në “San Siro”, por formalisht si Milan–Inter. Kjo sepse kuqezinjtë kanë fituar të dy derbit e këtij sezoni dhe, në rast barazimi pikësh, do të konsideroheshin skuadra pritëse.

Në rast se dy ekipet e mbyllin kampionatin me pikë të barabarta, për të përcaktuar se kush luan në shtëpi në play-off do të merren parasysh disa kritere: rezultati në përballjet direkte, diferenca e golave në këto ndeshje, diferenca e përgjithshme e golave në kampionat, numri i golave të shënuar dhe, nëse gjithçka mbetet e barabartë, shorti.

Me disa javë ende për t’u luajtur, gara për titullin në Serie A mbetet plotësisht e hapur, ndërsa tifozët e Milanit dhe Interit vazhdojnë të llogarisin çdo skenar të mundshëm deri në fund të sezonit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit