Erdogan paralajmëron Iranin: Mos i hidhni benzinë zjarrit në Lindjen e Mesme!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 09.03.2026, 17:47

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka reaguar ndaj përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, duke theksuar se pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme nga Ankaraja, Irani po ndërmerr veprime që sipas tij rrisin rrezikun e destabilizimit në rajon.

Duke folur pas mbledhjes së kabinetit qeveritar, Erdogan deklaroi se prioriteti kryesor i Turqisë mbetet garantimi i sigurisë kombëtare dhe mbrojtja e qytetarëve të saj nga çdo pasojë e konfliktit.

“Qëllimi ynë është ta mbajmë vendin tonë larg këtij zjarri. Siguria e Turqisë dhe paqja e 86 milionë qytetarëve tanë është prioritet absolut. Nuk duam që as edhe një fije floku e qytetarëve tanë të dëmtohet”, u shpreh presidenti turk.

Ai theksoi se në një kohë kur disa aktorë në rajon po kontribuojnë në rritjen e tensioneve, Turqia synon të luajë një rol stabilizues për të frenuar përhapjen e konfliktit dhe për të ndihmuar në uljen e temperaturave politike dhe ushtarake.

Sipas Erdoganit, Ankaraja i ka bërë vazhdimisht thirrje Iranit që të tregojë përmbajtje, por pavarësisht këtyre paralajmërimeve, Teherani po vazhdon të ndërmarrë hapa që rrisin tensionet në rajon.

“Ne nuk duhet të lejojmë që marrëdhëniet tona vëllazërore të dëmtohen. Përpjekjet tona për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit janë të qarta”, theksoi ai.

Në fund, Erdogan shtoi se Turqia do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet në rajon në koordinim me NATO-n dhe aleatët e saj, duke marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur interesat dhe sigurinë e vendit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit