Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mesditën e sotme në Shkodër, gjatë një operacioni të Policisë për kapjen e një personi të konsideruar me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:10 në lagjen “Kiras”.
Sipas informacioneve paraprake, një patrullë policie i ka bërë shenjë për të ndaluar një automjeti në të cilin udhëtonin dy persona. Drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të policisë, ka shtuar shpejtësinë dhe është larguar, duke detyruar efektivët të vihen në ndjekje.
Gjatë ndjekjes, pasagjeri i automjetit, i identifikuar me inicialet B.B., dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër dhe më pas është larguar në drejtim të paditur.
Policia ka arritur të arrestojë drejtuesin e automjetit, ndërsa vijojnë kërkimet për kapjen e B.B., i cili sipas burimeve policore është në kërkim edhe për vepra të tjera penale.
Pas incidentit, zona e lagjes “Kiras” është rrethuar nga forca të shumta policie, të cilat po vijojnë kontrollet dhe operacionin për lokalizimin e të dyshuarit.
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 15:10, gjatë patrullimit në lagjen “Guerrile”, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, një automjeti me të cilin lëviznin 2 shtetas, me qëllim kryerjen e kontrolleve. Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, por ka shtuar shpejtësinë e lëvizjes dhe ka kryer manovra të rrezikshme me automjet.
Për këto arsye, shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje automjetit. Gjatë ndjekjes, dyshohet se pasagjeri në këtë automjet, duke u larguar ka qëlluar një herë, në ajër, me armë zjarri, dhe është larguar.
Shërbimet e Policisë kanë kapur drejtuesin e automjetit, inicialet e të cilit nuk bëhen të ditura për momentin, për shkak të konfidencialitetit të hetimit.
Ndërkaq, vijon intensivisht puna për lokalizimin dhe kapjen e pasagjerit në këtë automjet.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për të zbardhur rrethanat e rastit.