Një raport i organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Human Rights Watch pretendon se ushtria izraelite ka përdorur municione me fosfor të bardhë në fshatin Yohmor, në jug të Libanit.
Sipas raportit, organizata ka verifikuar dhe gjeolokalizuar shtatë fotografi të realizuara në fillim të marsit. Në to shihen re tymi të bardhë që ngrihen mbi një zonë të banuar, ndërsa ekipet e mbrojtjes civile përpiqen të shuajnë zjarret e shpërthyera në dy shtëpi dhe në një automjet.
Fotografia e parë është publikuar në rrjetet sociale në mëngjesin e 3 marsit. Sipas Human Rights Watch, reja e tymit e dukshme në imazh është “në përputhje me municionet M825 të kalibrit 155 milimetra që përmbajnë fosfor të bardhë”.
Po atë ditë, në orën 05:27 të mëngjesit, zëdhënësi i ushtrisë izraelite për gjuhën arabe, Avichay Adraee, u bëri thirrje banorëve të Yohmorit dhe rreth 50 fshatrave të tjerë që të largoheshin të paktën një kilometër nga zonat e banuara. Paralajmërimi u përsërit edhe gjashtë orë më vonë.
Në operacionet ushtarake, fosfori i bardhë përdoret për disa qëllime, si krijimi i perdeve të tymit për të kufizuar dukshmërinë, sinjalizimi apo edhe goditja e objektivave të armikut. Në varësi të lartësisë së shpërthimit, një predhë e tillë mund të shpërndajë fragmente kimike në një zonë me diametër deri në 250 metra.
“Efektet ndezëse të fosforit të bardhë mund të shkaktojnë vdekje ose plagë shumë të dhimbshme që shërohen me vështirësi”, shpjegon Ramzi Kaiss, studiuesi libanez i Human Rights Watch që ka drejtuar hetimin.
Organizata analizoi gjithashtu dy fotografi të tjera të publikuara nga Komiteti Islamik i Shëndetësisë, një autoritet shëndetësor i lidhur me Hezbollah-un. Fotot janë realizuar pas sulmit dhe tregojnë zjarre në banesa. Sipas Human Rights Watch, analizat e metadatave tregojnë se ato janë realizuar në një distancë më pak se 160 metra nga njëra-tjetra.
Nuk është hera e parë që ushtria izraelite akuzohet për përdorimin e municioneve të tilla në Liban. Aktualisht nuk ekziston një ndalim i plotë dhe specifik për fosforin e bardhë, por përdorimi i tij mund të bie ndesh me kufizimet për armët ndezëse të parashikuara në Protokollin III të Konventës për Armët Konvencionale. Sipas kësaj konvente, këto armë nuk duhet të përdoren kundër objektivave civile. Libani është pjesë e marrëveshjes që nga viti 1983, ndërsa Izraeli nuk është palë në të.