Raporti i SPAK: Sfidë korrupsioni në nivele të larta, krimi dhe pastrimi i parave në kulla

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 09.03.2026, 14:53

RAPORTI I PLOTË I SPAK PËR VITIN 2025

Raporti vjetor për vitin 2025 i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) thekson se korrupsioni në nivele të larta dhe krimi i organizuar vijojnë të jenë ndër sfidat kryesore për Shqipërinë. Sipas dokumentit, grupet kriminale shqiptare mbeten aktive në rrjete ndërkombëtare, veçanërisht në trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe aktivitete të tjera të paligjshme që shtrihen përtej kufijve të vendit. Trafiku i narkotikëve, sidomos i kokainës dhe kanabisit drejt vendeve të Bashkimi Evropian, përmendet si aktiviteti më fitimprurës për këto grupe.

Sipas raportit, gjatë vitit 2025 vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara arriti rreth 45.4 milionë euro. Nga kjo shumë, rreth 43.49 milionë euro janë asete të sekuestruara, ndërsa rreth 1.91 milionë euro janë asete të konfiskuara. Në këtë total përfshihet edhe sekuestrimi i kriptovalutës Tether (USDT) me vlerë rreth 14.5 milionë dollarë, ose rreth 12.4 milionë euro. Pjesa më e madhe e pasurive të sekuestruara lidhet me veprat penale të krimit të organizuar, me rreth 42.4 milionë euro, ndërsa për çështjet që lidhen me zyrtarët e lartë janë sekuestruar rreth 1.1 milion euro dhe konfiskuar rreth 100 mijë euro.

Raporti evidenton gjithashtu se pastrimi i parave kryhet kryesisht përmes investimeve në sektorin e ndërtimit, pasurive të paluajtshme dhe bizneseve të ndryshme, duke deformuar konkurrencën në ekonomi. Gjatë vitit 2025 janë hetuar gjithsej 871 procedime penale, nga të cilat 294 të reja, ndërsa 216 hetime janë përfunduar. Dokumenti nënvizon se hetimet janë bërë më komplekse dhe kanë përfshirë më shumë persona, ndërsa një pjesë e çështjeve lidhen edhe me korrupsionin në administratën publike dhe pushtetin vendor, veçanërisht për tendera publikë, përdorimin e fondeve dhe dhënien e lejeve të ndërtimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit