Një incident është regjistruar mëngjesin e së dielës në Athinë, ku një 61-vjeçar me origjinë shqiptare ka shkaktuar tension në ambientet e zyrave të EFKA, institucioni që administron sigurimet shoqërore në Greqi.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:40 në zyrat e institucionit në rrugën Pireos, pranë zonës së Omonia. Sipas mediave greke, burri ka hyrë në ambientet e EFKA-s dhe ka nisur të kërcënojë punonjësit duke mbajtur në dorë një stilolaps dhe një thikë, ndërsa motivet e veprimit të tij nuk janë bërë ende të qarta.
Pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë efektivët e policisë nga njësia DIAS Police Unit, të cilët kanë arritur ta neutralizojnë pa shkaktuar të lënduar apo dëme materiale dhe më pas e kanë vënë në pranga.
Gjatë kontrollit fizik ndaj të dyshuarit, policia ka gjetur në posedim të tij edhe një thikë kuzhine. Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe motivet e këtij incidenti.