Një grua ka qëlluar me armë zjarri drejt banesës së yllit të muzikës pop Rihanna të dielën në zonën e Beverly Hills në Los Anxhelos, ndërsa një nga plumbat ka depërtuar në murin e vilës, sipas burimeve të policisë për mediat amerikane.
Policia njoftoi se mori një telefonatë për të shtëna me armë rreth orës 13:21 në lagjen Beverly Hills Post Office. Një e dyshuar, 30 vjeç, u arrestua pak kohë më vonë.
Sipas burimeve të policisë, këngëtarja ndodhej në shtëpi në momentin e incidentit. Autoritetet thanë se gruaja qëlloi disa herë nga brenda automjetit të saj në drejtim të banesës së artistes. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk u raportua për persona të lënduar.
Sipas komunikimeve të policisë në radio, të paktën 10 të shtëna u qëlluan nga një automjet i bardhë tip Tesla, i cili ndodhej përballë portës së pronës. Më pas makina u largua me shpejtësi drejt jugut në Coldwater Canyon Drive. Policia nisi menjëherë kërkimet për automjetin dhe përmes një helikopteri arriti ta lokalizojë atë në një parkim të një qendre tregtare në Sherman Oaks. E dyshuara u arrestua rreth 30 minuta pasi ishte bërë telefonata emergjente në numrin 911.
Zëdhënësi i policisë, Armen Arias, tha se gjatë kontrollit të automjetit u gjet një pushkë automatike dhe shtatë gëzhoja.
Hetuesit zbuluan gjithashtu vrima plumbash në portën e shtëpisë së këngëtares dhe në një automjet tip RV të parkuar në oborr.
Rihanna jeton në një vilë të stilit kolonial në zonën Beverly Hills Post Office së bashku me partnerin e saj, reperin ASAP Rocky. Çifti ka tre fëmijë të vegjël. Nuk është e qartë nëse persona të tjerë ndodheshin në banesë në momentin e të shtënave.
Ky nuk është incidenti i parë i sigurisë për këngëtaren. Në vitin 2018, një burrë nga Fullerton hyri në mënyrë të paligjshme në shtëpinë e saj në Hollywood Hills dhe qëndroi brenda për rreth 12 orë, përpara se të zbulohej nga asistenti i artistes. Më vonë ai u deklarua fajtor për përndjekje ndaj këngëtares.