Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të raportuar një situatë të pazakontë në Dibër të Madhe, në Maqedoninë e Veriut, ku dhjetëra makina me targa shqiptare shihen në radhë për t’u furnizuar me karburant.
Në videon e dërguar në redaksi duken qartë automjete të shumta të rreshtuara pranë një pike karburanti, duke pritur për të mbushur naftë. Sipas qytetarit, arsyeja e kësaj radhe të gjatë është diferenca e madhe e çmimit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Ai thotë se ndërsa në Shqipëri çmimi i naftës ka arritur deri në rreth 200 lekë të rinj për litër, në anën tjetër të kufirit ajo shitet rreth 110-120 lekë.
“Përshëndetje JOQ! Shikoni çfarë ndodh në pikat e karburantit në Maqedoninë e Veriut. Radhë pafund me makina me targa të Shqipërisë. Ndërsa te ne nafta shkon 200 lekë, këtu matanë kufirit e mbushim me 110-120 lekë. Lufta qenka vetëm për ne në Shqipëri, se këtu në Maqedoni duket se nuk pyesin,” – shprehet qytetari në mesazhin e dërguar.
Në videon që ai ka regjistruar dëgjohet gjithashtu duke thënë: “Radhë e madhe në Maqedoni të Veriut, në Dibër të Madhe. Nafta më lirë se në Shqipëri. 110 lekë këtu. Shikoni çfarë bëhet!”
Pamjet kanë nxitur reagime në rrjet, ndërsa shumë qytetarë ankohen prej kohësh për çmimin e lartë të karburanteve në Shqipëri krahasuar me vendet fqinje.