Situata në Laguna e Nartës po bëhet çdo ditë e më shqetësuese. Pavarësisht statusit si zonë e mbrojtur, raportime dhe pamje nga terreni tregojnë se gjuetia e shpendëve vazhdon pa asnjë pengesë, duke rrezikuar seriozisht faunën dhe ekosistemin e kësaj zone të rëndësishme natyrore.
Sipas informacioneve nga zona, gjuetarë të paligjshëm vijojnë aktivitetin e tyre pranë lagunës. Në disa vende janë gjetur edhe fishekë të përdorur së fundmi, një tregues i qartë se gjuetia nuk është një fenomen i së kaluarës, por një problem që vazhdon ende sot.
Banorë dhe vizitorë shprehen se shpesh dëgjohen të shtëna armësh pranë lagunës, ndërsa reagimi nga institucionet përgjegjëse mungon. Kjo situatë ka ngritur shqetësime për mbrojtjen reale të kësaj zone, e cila konsiderohet një nga habitatet më të rëndësishme për shpendët në jug të vendit.
Laguna e Nartës dhe zonat përreth janë jetike për shumë specie shpendësh dhe për ruajtjen e ekuilibrit natyror. Gjuetia e pakontrolluar rrezikon drejtpërdrejt biodiversitetin dhe mund të dëmtojë rëndë ekosistemin e kësaj zone.
Përballë kësaj situate kërkohet reagim i menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Policia e Shtetit dhe strukturat që administrojnë zonat e mbrojtura. Pa masa konkrete në terren, rreziku është që zona të tilla të mbeten të mbrojtura vetëm në letër, ndërsa në realitet të përballen çdo ditë me shkatërrim dhe abuzime.