Britania do të heqë strehimin dhe mbështetjen financiare për azilkërkuesit që shkelin ligjin, punojnë ilegalisht ose që mbajnë veten financiarisht.
Qeveria britanike ka prezantuar një plan të ri pilot sipas të cilit, familjeve azil-kërkuese që u është refuzuar azili do t’u ofrohen deri në 40 mijë paund nëse pranojnë të largohen vullnetarisht nga vendi.
Sipas planit të shpallur nga Shabana Mahmood, familjet do të mund të marrin rreth 10 mijë paund për person, me një kufi maksimal prej 40 mijë paund për familje. Skema fillimisht synon rreth 150 familje të cilave u është refuzuar azili.
Autoritetet britanike thonë se familjet do të kenë rreth shtatë ditë kohë për të pranuar ofertën dhe për t’u kthyer në vendin e tyre të origjinës. Nëse refuzojnë, qeveria paralajmëron se mund të nisë procedurat e deportimit të detyruar, në rastet kur kjo është e mundur ligjërisht.
Sipas qeverisë, masa synon të kursejë para nga taksat e qytetarëve britanikë, pasi strehimi dhe mbështetja për azilkërkuesit aktualisht i kushton shtetit britanik rreth 158 mijë paund në vit për çdo familje.
Megjithatë, plani ka shkaktuar debate të forta politike në Britani. Kritikët e politikës thonë se pagesa e emigrantëve për t’u larguar është problematike dhe e diskutueshme.