Pak ditë pasi u shpallën ndryshimet në kabinet dhe u mbyll kapitulli i disa ministrave të vjetër, tre emra të lidhur me strukturën e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku janë parë të ulur bashkë në një kafe pranë Kuvendit.
Në tavolinë ndodhen ish-ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, pasardhësi i tij në këtë post Ermal Nufi dhe ministri i ri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi.
Fotografia vjen pikërisht në ditën kur Kuvendi votoi ministrat e rinj pas rokadës së madhe në qeveri, e cila çoi në largimin e disa figurave kryesore të kabinetit, përfshirë edhe Ballukun.
Ironia politike që po komentohet në rrjet është se të tre personazhet e fotos konsiderohen nga kritikët si njerëz të afërt me ish-ministren.
Pirro Vengu u konsiderua për vite si një nga figurat e promovuara politikisht në qeveri me mbështetje të fortë nga Balluku, duke u ngjitur shpejt në hierarkinë e kabinetit.
Ermal Nufi, që sot drejton Ministrinë e Mbrojtjes, më parë mbante postin e sekretarit të përgjithshëm në kabinetin e Ballukut kur ajo ishte zv.kryeministre. Enea Karakaçi ish-drejtori i OSHEE, i emëruar ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, vjen nga struktura e energjisë ku ka mbajtur poste drejtuese dhe ka qenë pjesë e aparatit që lidhej me ministrinë që drejtonte Balluku.
Kështu, ndërsa politika shqiptare përjeton një tjetër riformatim kabineti, fotografia e kafesë pranë Kuvendit duket si një “mbledhje informale” e njerëzve që deri dje ishin pjesë e të njëjtit orbitë politike.
Në rrjet, komentet ironike nga qytetarët nuk kanë munguar, ku “qeveria ndryshon, por në tavolinat e kafes mbeten po ata”.