Droga dhe armët sheshit, antikontrabanda bllokon 1.5 ton çokollata

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 05.03.2026, 19:13

Shqiptarë, flini të qetë! Policia dhe Dogana kanë korrur fitoren më të madhe në historinë e tranzicionit: Kanë gjunjëzuar "kartelin e Milka-s". Ndërkohë që kamionët me drogë dhe armë kalojnë doganat tona me shpejtësinë e dritës dhe me përshëndetje miqësore, "syri i mprehtë" i antikontrabandës ka pikasur armikun numër një të sigurisë kombëtare: Çokollatën e padeklaruar.

Në një operacion që meriton të bëhet film (ndoshta me titull "Gjak dhe Karamel"), Drejtoria e Antikontrabandës ndaloi në Kapshticë një mjet me 566 kuti me çokollata. Plot 1,500 kilogramë produkt që po tentonte të hynte në tregun tonë pa i dhënë "haxhin" shtetit.

Pritet që pas këtij aksioni, shkalla e kriminalitetit në Shqipëri të bjerë ndjeshëm, të paktën sa i përket prishjes së dhëmbëve dhe kalorive të tepërta.

"Kur vjen puna te kokaina, skaneri shpesh është me defekt, por kur vjen puna te çokollata me lajthi, skaneri ynë lexon edhe datën e skadencës në errësirë," – duket se është motoja e re e doganave tona.

Ndërsa vrasësit e kërkuar dhe trafikantët e armëve shpesh kalojnë kufirin duke buzëqeshur, për korrierin e çokollatave nuk ka mëshirë. Organet hetimore po vazhdojnë punën për procedimin penal.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit