Një darkë e zakonshme është kthyer në një skenë horrori mbrëmjen e djeshme në qendër të qytetit Zele në Belgjikë. Një shtetas shqiptar, klient i rregullt i restorantit "Yega", ka qëlluar me armë zjarri pronarin e lokalit, duke e plagosur rëndë në qafë, pas një konflikti banal që nisi nga xhelozia.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20:30. Autori shqiptar po darkonte me të dashurën e tij, kur papritmas mes çiftit shpërtheu një debat i ashpër me tone të larta dhe fjalë fyese. Të shqetësuar nga zhurma dhe prania e klientëve të tjerë, pronari i restorantit, Mehmeti (45 vjeç), iu afrua tavolinës së tyre duke u kërkuar me qetësi të ulnin zërin.
Ky moment duket se ka irrituar autorin. Kur Mehmeti tentoi të nxirrte telefonin për të njoftuar policinë, shqiptari reagoi në mënyrë gjakftohtë dhe ekstreme.
"Papritmas nxori një pistoletë nga pantallonat dhe e drejtoi ndaj meje," tregon Mehmeti, ende i tronditur. "Ai hapi zjarr një herë dhe unë u godita në qafë. Vajza më kishte paralajmëruar për atë që ai kishte në plan, por fillimisht nuk i besova".
Pavarësisht se u plagos, pronari reagoi me një refleks mbijetese. Ai u përlesh për pak çaste me autorin, duke u përpjekur t'i hiqte armën nga dora për të parandaluar të keqen më të madhe. Pas përleshjes, shqiptari u largua me shpejtësi nga lokali duke marrë me vete edhe armën e krimit.
Mehmeti u dërgua me urgjencë në spital, ku fatmirësisht mjekët arritën ta stabilizonin dhe ai tashmë është rikthyer në shtëpi, por trauma mbetet e thellë.
Detaji më i çuditshëm i kësaj ngjarjeje është se, sipas dëshmisë së pronarëve, autori nuk ishte nën efektin e alkoolit. Ai njihej si klient i rregullt dhe atë mbrëmje kishte porositur vetëm kola. Nuk dihet se çfarë e shtyu atë të mbante një armë me vete në restorant dhe të reagonte me aq dhunë ndaj një kërkese për qetësi.
Policia belge ka konfirmuar incidentin dhe ka nisur hetimet, por nuk ka dhënë detaje të tjera për momentin. Prokuroria është informuar dhe ekspertët kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes.
Fatmirësisht, në momentin e krimit nuk ishin të pranishëm fëmijët e pronarit, të cilët zakonisht qëndrojnë në lokal. Autoritetet po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit shqiptar, i cili është filmuar nga kamerat e sigurisë së restorantit. Restoranti mbetet i mbyllur deri në një njoftim të dytë.