Tragjedi në Bathore/ Makina përplas për vdekje 53-vjeçarin, banorët: U hoqën pengesat e shpejtësisë pas shtrimit të rrugës

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 04.03.2026, 20:46

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Bathore, në zonën e njohur si rruga “Dajti”.

Burime për JOQ Albania bëjnë me dije se një automjet tip “Passat” ka përplasur një këmbësor, i cili më pas ka ndërruar jetë gjatë transportimit për në spital. Viktima është identifikuar si 53-vjeçari me inicialet A.T.

Dëshmitarë nga vendngjarja kanë dërguar pamje ku shihet i ndjeri i shtrirë në rrugë, por për arsye etike dhe në respekt të familjes, këto pamje nuk do të publikohen. JOQ Albania do të publikojë vetëm foton e mjetit të përfshirë në aksident.

Sipas mesazheve të mbërritura në redaksi, aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:00. Qytetari që raportoi ngjarjen shprehet se ambulanca është vonuar dhe se i plagosuri fillimisht është futur në automjetin që e kishte përplasur për t’u dërguar drejt spitalit.

Banorët e zonës ngrenë akuza të drejtpërdrejta ndaj Bashkisë Kamëz, duke pretenduar se para një jave është shtruar rruga dhe janë hequr bordurat dhe pengesat kufizuese të shpejtësisë.

Sipas tyre, gjatë gjithë ditës kishin njoftuar policinë për lëvizje mjetesh me shpejtësi të lartë dhe qarkullim të automjeteve të tonazhit të rëndë, ndonëse, sipas vendimit të Këshillit Bashkiak, kjo rrugë është e ndaluar për mjete mbi 6.5 ton.

Policia pritet të zbardhë rrethanat e plota të aksidentit dhe të përcaktojë përgjegjësitë. Deri në një njoftim zyrtar, pretendimet e banorëve mbeten dëshmi të tyre, ndërsa dinamika e ngjarjes është nën verifikim.

Një tjetër jetë e humbur në rrugët e vendit, ndërsa banorët kërkojnë masa urgjente për sigurinë rrugore në zonë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit