Shqipëria në “Vdekje Klinike”: 72% e bashkive me shtesë natyrore negative

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 03.03.2026, 21:10

Shqipëria ka hyrë në një fazë të rëndë të shterimit demografik, ku të dhënat e vitit 2024 konfirmojnë se 44 nga 61 bashki të vendit janë në bilanc negativ. Kjo do të thotë se në pjesën dërrmuese të vendit vdekjet po tejkalojnë lindjet, duke e çuar shoqërinë drejt një shuarjeje organike që nuk po kursen as zonat që dikur konsideroheshin vitale.

Harta e shtesës natyrore tregon një jug në "vdekje klinike". Shifrat janë alarmante për bashki si Dropulli me -89.6%, Pusteci me -81.8% dhe Finiqi me -80.5%. Ky nuk është thjesht një problem social, por fundi i ekonomisë lokale; në këto zona nuk ka më blerës, bizneset po mbyllen dhe e vetmja e ardhur që qarkullon janë pensionet dhe remitancat. Këto bashki janë shndërruar në azile gjigante ku mungesa e moshës riprodhuese e bën rritjen ekonomike praktikisht të pamundur.

Paradoksi thellohet në akset turistike. Himara (-64.4%), Përmeti (-62.1%) dhe Saranda (-19.5%) po shënojnë rënie drastike të popullsisë vendase pavarësisht lulëzimit të turizmit. Ky trend paralajmëron një krizë të sektorit të shërbimeve, i cili do të varet tërësisht nga punëtorët e huaj, duke rritur kostot dhe duke ndryshuar profilin e turizmit shqiptar.

Në anën tjetër, Kamza (119.4%) dhe Tirana (61.9%) mbeten motorët e vetëm demografikë, por rritja e tyre nuk është organike, por vjen nga zhvendosja e banorëve nga rrethet. Kostoja e lartë e jetesës në kryeqytet po fillon të funksionojë si pengesë për lindshmërinë, ndërsa zonat e veriut si Kukësi (73.3%) dhe Dibra (68.3%) po prodhojnë burime njerëzore vetëm për eksport. Të rinjtë që lindin atje emigrojnë sapo mbushin moshën e punës, duke e lënë veriun me bilanc pozitiv lindjesh, por me varfëri kronike investimesh.

Në totalin kombëtar, Shqipëria po humbet dividendin e saj njerëzor. Me më shumë vdekje dhe më pak lindje, raporti mes kontribuuesve dhe përfituesve në skemën e pensioneve do të rëndohet, duke detyruar shtetin të rrisë taksat ose moshën e daljes në pension. Industritë që bazoheshin te kostoja e lirë e punës në qytete si Librazhdi apo Kruja po shkojnë drejt mbylljes ose robotizimit të detyruar, pasi punëtori fizik po zhduket nga territori.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit