Trump: Do të ndërpresim çdo tregti me Spanjën, mund t’i përdorim bazat e tyre pa leje

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 03.03.2026, 21:07

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA do të ndërpresë çdo marrëdhënie tregtare me Spanjën, pasi Madridi refuzoi t’i lejojë ushtrisë amerikane përdorimin e bazave në territorin spanjoll për operacione që lidhen me sulmet ndaj Iranit.

Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Trump u shpreh i ashpër ndaj qeverisë së kryeministrit Pedro Sánchez, duke e cilësuar Spanjën “të tmerrshme” në qëndrimin e saj. “Do të ndërpresim çdo tregti me Spanjën. Nuk duam të kemi asgjë të bëjmë me Spanjën”, tha ai, duke shtuar se i ka kërkuar Sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, të “ndërpresë çdo marrëdhënie” me Madridin.

Sipas Trump, përplasja nisi pasi ai u kërkoi vendeve të NATO-s të rrisnin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të PBB-së. “Të gjithë ishin entuziastë, Gjermania, të gjithë, por Spanja nuk e bëri”, deklaroi ai, duke pretenduar se Madridi nuk pranoi as rritjen minimale.

Presidenti amerikan shkoi edhe më tej, duke komentuar refuzimin për përdorimin e bazave ushtarake: “Kjo është në rregull, ne mund t’i përdorim bazat e tyre nëse duam. Mund të fluturojmë atje dhe t’i përdorim. Askush nuk do të na thotë që të mos i përdorim.” Ai shtoi se Spanja “ka njerëz të mrekullueshëm, por jo udhëheqje të mirë”.

Në të njëjtën konferencë, Trump kritikoi edhe Britaninë e Madhe për hezitimin fillestar në lejimin e përdorimit të bazave britanike për sulmet ndaj Iranit, megjithëse Londra më pas pranoi mbështetje të kufizuar.

Deklaratat e forta të Trump pritet të thellojnë tensionet mes Uashingtonit dhe disa aleatëve europianë, në një moment kur situata në Lindjen e Mesme mbetet e brishtë dhe e paparashikueshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit